Bayerni i Mynihut, kampion bote për klube. Ekipi bavarez, kampion në fuqi i Championsit dhe i Bundesligës, fitoi 1-0 përballë Tigres në finalen e Botërorit të Klubeve, duke koleksionuar trofenë e gjashtë në drejtimin e Hansi Flick (praktikisht, ka fituar çdo trofe të mundshëm).
Pavarësisht rezultatit të ngushtë, diferencat në fushë ishin të dukshme, me futbollistët bavarezë që shpërdoruan shumë raste shënimi, madje në një moment u ndalën edhe nga traversa (Leroy Sane 34’), ndërsa Joshua Khimmich ishte i pafat teksa supergoli i tij në pjesën e parë u anulua nga sistemi VAR për pozicionin jashtë loje të Lewandowskit, i cili u konsiderua në rrezen e portierit.
Golin e vetëm të kësaj finaleje e shënoi Benjamin Pavard në minutën e 59-të, duke shfrytëzuar topin e mbetur në zonë, por edhe në këtë rast u konfirmua vetëm pas rishikimit të pamjeve në ndërtimin e aksionit nëpërmjet sistemit VAR.
Tolisso dhe Douglas Costa iu afruan dyfishimit të rezultatit në minutat në vazhdim, ndërsa futbollistët e Tigres e kishin të pamundur ta rrezikonin seriozisht portën e Neuerit. Përfundimisht Bayerni fiton për herë të dytë Botërorin e klubeve, pas suksesit në vitin 2013.