Roma me një këmbë në çerekfinale.
Verdhekuqtë kanë zhvilluar një 90-minutësh perfekt ndaj ukrainasve të Shakhtar Donetsk dhe kanë arritur të triumfojnë me rezultatin e pastër 3-0, duke shndërruar në formalitet transfertën e Kievit.
Paulo Fonseca përballej me të shkuarën e tij, pasi drejtoi për 3 sezone klubin e Shakhtarit dhe në fund të takimit pati përshëndetje të përzemërta me ukrainasit.
Roma zhbllokoi sfidën në pjesën e parë me anë të Lorenzo Pellegrinit dhe më pas në pjesën e dytë ishin Stefan El Shaarawy e Gianluca Mancini që kompletuan fitoren e thellë, ndërsa mbrojtja bëri detyrën duke mbajtur portën të paprekur.
Bënë mjaft mirë edhe klubet angleze, pasi Arsenali triumfoi me shifrat 1-3 në Athinë përballë Olympiacos, ndërsa Tottenham mposhti me rezultatin 2-0 kroatët e Dinamos së Zagrebit.
Odegaard, Gabriel dhe Elneny ishin autorët e golave të “topçinjve” në transfertën greke, ndërsa për “Spurs”-at shënoi dy herë kapiteni Harry Kane, duke e bërë edhe më të lehtë rrugën drejt çerekfinaleve.
Nuk pati surpriza as në sfidën mes Granadës dhe norvegjezëve të Moldes. Skuadra spanjolle vinte me mungesa të shumta, por ia doli të shënojë dy herë dhe të fitojë 2-0, duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit, që pritet të vuloset një javë më vonë në Norvegji.