Pas gjashtë viteve Milan ka shansin real për tu kualifikuar në Ligën e Kampionëve.
Rosonerët renditen në pozitën e dytë pas 26 ndeshjeve të luajtura, me gjashtë pikë më pak se Interi dhe katër më tepër se Juventus dhe Atalanta.
Edhe pse në pjesën më të madhe të sezonit Milani ishte në krye të tabelës, lëndimet e shumta dhe mungesa e fondit të lojtarëve ka bërë që Rosonerët ta humbasin kreun.
Pikërisht për këtë shkak, drejtori i Milanit, Paolo Maldini ka filluar të punojë për përforcimet e sezonit të ardhshëm. Maldini e ka përpiluar listën e përforcimeve për merkaton e verës.
Synimi i klubit është rikthimi në majat e futbollit europian dhe për këtë do të transferojnë lojtarët më të mirë.
Përforcimi i parë pritet të jetë Florian Thauvin, i cili do ti bashkohet Rosonerëve si futbollist i lirë.
Përforcimi i dytë do të jetë mesfushori i Portos, Otavio, i cili pëlqehet shumë nga Maldini.
Maldini synon ta transferojë edhe yllin e PSV, Donyell Malen dhe për shërbimet e tij Rosonerët kanë përgatitur një ofertë prej 30 milionë eurove.
Transferimi më i shtrenjtë pritet të jetë mbrojtësi i Fiorentinës, Nikola Milenkovic. Për ta lënë të lirë Fiorentina kërkon 50 milionë euro, ndërsa te Milan shpresojnë ta transferojnë për një shifër më të ulët.