Shkëlqen Mbappe, PSG mposht Bayernin në Mynih

Rreth 7 muaj pas humbjes në finalen e Ligës së Kampionëve, Paris Saint Germain provoi të hakmerret ndaj Bayernit të Mynihut, duke e mposhtur me rezultatin 2-3 në “Allianz Arena” dhe duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt kalimit në gjysmëfinale, ndonëse gjithçka do të vendoset në ndeshjen e kthimit në Francë.

Sfida nisi vrullshëm për parizienët, që kaluan në avantazh në minutën e tretë, teksa pas një pasimi të saktë të Neymar, Kylian Mbappe mposhti portierin Neuer dhe dërgoi sferën në rrjetë.

Në minutën e 28′ francezët shënuan edhe golin e dytë, një gol tërësisht “brazilian”, pasi Neymar asistoi dhe Marquinhos dërgoi topin në rrjetën e portës së Neuer.

Bayerni rihapi takimin me Choupo-Motting, që kishte rolin të zëvendësonte bomberin Lewandowski pikërisht përballë PSG-së, fanellën e të cilës veshi deri në fundin e verës së kaluar.

Në pjesën e dytë ishte Thomas Muller që riktheu baraspeshën, por vetëm për pak minuta, pasi Mbappe shënoi edhe golin e dytë personal e të tretin për PSG-në, pas një asisti të Di Marias, duke vulosur suksesin e francezëve.

Ka hedhur një hap drejt gjysmëfinaleve edhe Chelsea, që fitoi çerekfinalen e parë ndaj Portos me rezultatin 0-2 në “O’Dragao”. Mason Mount në pjesën e parë dhe Ben Chilwell pak para fundit, vulosën suksesin për londinezët e Thomas Tuchel.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here