Skena prekëse: Zbulohet reagimi i kombëtares Italiane kur Eriksen pësoi arrest kardiak (VIDEO)

Arresti kardiak, që pësoi Christian Eriksen në fushën e lojës, gjatë ndeshjes debutuese të Danimarkës në “Euro 2020”, kundër Finlandës, shokoi mbarë botën futbollistike.

Pamjet “live”, kur po transmetohej ndeshja, ishin tronditëse, shokuese për këdo. Danezët, me krye kapitenin Kjaer, sidoqoftë u treguan tejet profesionistë, krijuan një mur rreth tij me trupat e tyre, në mënyrë që kamerat të mos fokusonin dot momentet dramatike të yllit të Interit.

Një solidaritet global shpërtheu me mesfushorin danez, teksa mesazhet në adresë të tij ishin të panumërta. Fatmirësisht, falë ndërhyrjes së shpejtë dhe profesionale të stafit mjekësor të Danimarkës, pastaj edhe në spitalin e Kopenhagës, Eriksen ia doli paq një situate shumë të vështirë.

Se çfarë ndodhi më pas dihet. Danimarka e ktheu dhimbjen në forcë dhe shkoi deri në gjysmëfinale të Europianit. Skuadrat kundërshtare, para çdo ndeshjeje i dhuronin nga një fanellë me emrin dhe numrin e Eriksen, të firmosura nga të gjithë.

Një ritual që e bëri këtë Europian edhe më të ndjeshëm. Së fundi është publikuar një video, ku tregohet se si e përjetuan lajmin e keq futbollistët e Italisë, teksa po shikonin ndeshjen Danimarkë-Finlandë përmes një tableti, para seancës stërvitore me kombëtaren. Sidomos futbollistët e Interit, por jo vetëm, shihen të pikëlluar, deri të përlotur. Më i trondituri është Barella, i cili merret për krahu dhe ngushëllohet nga Bonucci. Domenico Berardi e kishte parë i pari momenti dhe u tregoi të tjerëve se çfarë po ndodhte, të cilët u shokuan, vunë duart në kokë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here