Tensione te Chelsea, Romelu Lukaku drejt rikthimit në Serie A!
Romelu Lukaku është lojtari më i përfolur këtë javë pas deklaratës së bujshme se nuk është i lumtur te Chelsea dhe se dëshiron të rikthehet te Interi.
Kjo deklaratë i ka kushtuar shumë Lukakut, pasiqë Tuchel ka vendosur mos ta grumbullojë në skuadër për ndeshjen me Liverpoolin.
Pas këtij vendimi të trajnerit gjerman kanë shpërthyer zërat për largimin e Lukakut nga Chelsea.
Gazetari i Rai, Marco Mazzocchi, ka lëshuar sot një lajm bombastik duke shkruar në Twitter: “Një ekspert për transferime (jo unë) më ka thënë se Chelsea është në bisedime me një gjigant italian për huazimin e Lukakut me anë të shkëmbimit të lojtarëve.”
Nuk dihet ende se për cilin gjigant italian bëhet fjalë, por Lukaku ka deklaruar se Interi është skuadra e vetme në Serie A për të cilën ai do të luante.