Juventusi i madh po kthehet, Giuntoli transferon dy yje për €85m

Revolucion te Juventusi.

Rinovimi i Adrien Rabiot ishte lajmi i parë i madh, një ogur i mirë për startin e sezonit të ardhshëm për Juventusin, ndërsa afrimi i Timothy Weah është një sinjal i qartë se ndoshta edhe trajneri Massimiliano Allegri kërkon që të ndryshojë diçka dhe mbi të gjitha të freskojë ritmin e lojës së skuadrës së tij.

Gjithsesi, qershia mbi tortë do të jetë zbarkimi i Cristiano Giuntolit, drejtorit të ri sportiv të “Zonjës së Vjetër”, njeriu i magjirave te Napoli dhe i goditjeve të mëdha që çuan të kaltrit te titulli kampion pas 33 vitesh. Dhe sipas raportimeve të para dhe burimeve që “Gazzetta dello Sport”, Giuntoli do të vijë edhe më dy dhurata të mëdha.

HOJLUND – Prej ditësh Aurelio De Laurentiis ka në dorë dosjen që duhet të firmosë, për të lënë të lirë pas 8 vitesh drejtorin e tij sportiv. Ky i fundit kërkon me aq ngulm që të kalojë te Juventusi, aq sa është gati që të heqë dorë nga bonuset e sezonit të kaluar, sipas kontratës, të cilat janë disa miliona euro (4 milionë për burimet në fjalë). Dhe ndoshta data 1 korrik do të jetë nisja e epokës “Giuntoli” në Torino, i cili ka nisur nga puna prej kohësh dhe ka dy emra në axhendën e tij.

I pari është Rasmus Hojlund, zbulimi i radhës së Atalantës, i cili në sytë e Giuntolit shihet si pasuesi i Dusan Vlahovicit në Torino. Serbi ka merkato në Spanjë, Gjermani e Angli dhe mund të sjellë mbi të gjitha 70-80 milionë euro të garantuara, nga të cilat, deri në 50 milionë janë në plan për të shkuar në arkat e Atalantës, mbi të gjitha për të mundur konkurrencën e fortë të Manchester United ndaj danezit.

Hojlund, 20-vjeçar, është jo vetëm i fortë, por edhe shumë teknik, madje jo më kot edhe në janar, Giuntoli kishte tentuar që ta afronte te Napoli, por pasi i ka shtruar disa piketa me Atalantën dhe lojtarin, tashmë i duhet të ndërrojë thjesht destinacion. Shkurt, tratativa për Hojlund te Juventusi ka nisur…

MILINKOVIC-SAVIC – Më e lehtë madje duket tratativa që çon te njeriu që do të blindonte mesfushën e Massimiliano Allegrit. Bëhet fjalë për Sergej MilinkoviC-SaviC, i cili pasi ka shtyrë rinovimin me Lazion dhe sezonin tjetër mund të largohet me parametër zero, të kaltrit duhet ta shesin që në këtë verë, për të arkëtuar të paktën 30-35 milionë, aq sa është edhe kërkesa minimale e presidentit Claudio Lotito.

Serbi, prej vitesh është afruar me Juven dhe në Torino do të shkonte me vrap. Madje, një akord mes palëve është gati prej një viti, prej 5.5 milionë eurosh në sezon dhe në të mjafton një ndryshim date dhe firmat mes tyre.

Por ndoshta, duke parë edhe nevojat që ka Juventusi sidomos në këtë repart dhe faktin se edhe shifra prej 30-35 milionësh nuk është më e parezistueshme, ndoshta Giuntoli me të ardhur do të nisë tratativë dhe ta dërgojë atë në finish. Dhe me Savic, Pogba, por edhe Rabio, Kostic e Weah, mesfusha e Juves do të ishte mëse e kompletuar, duke parë freski, shpejtësi, centimetra, muskuj dhe mbi të gjitha më në fund, edhe ide të qarta lojë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here