Dan Friedkin është gati për t’i dhënë duart Mourinhos.
Lajmi i bujshëm vjen nga “Corriere dello Sport”, me firmën e drejtorit Ivan Zazzaroni.
Presidenti i Romës, sipas gazetës romake, kishte dashur tashmë ta shkarkonte trajnerin portugez pas humbjes së “Marassi” kundër Genoa, por vetëm ndërmjetësimi i drejtorit sportiv Tiago Pinto e ka shtyrë numrin një të verdhekuqve për t’u frenuar.
Tani, megjithatë, duket se ka ardhur koha për t’u konfirmuar me fitore, ose për t’u shkarkuar me ndonjë rezultat negativ. Ultimatumi kuriozisht përkon me sfidën ndaj një prej simboleve të historisë së Romës, Claudio Ranieri. Nëse Roma humbet në Cagliari, pronarët janë gati të ndryshojnë kurs, duke shkarkuar Mourinhon.
Sipas “Corsport”, Friedkins tashmë e kanë në mendje një emër për zëvendësimin e trajnerit portugez, atë të gjermanit Hans-Dieter Flick, ish-trajnerit të Gjermanisë. Drejtori i gazetës sportive romake, Ivan Zazzaroni, në puntatën e fundit të “Pressing on Italia 1” kishte lënë të kuptohet se marrëdhënia mes Mourinhos dhe Romës nuk do të arrinte deri në fund të sezonit.
Skuadra verdhekuqe aktualisht ndodhet në vendin e 13-të të Serie A me 7 pikë, megjithatë është e freskët nga fitorja 4-0 në “Europa League” ndaj Servette. Kjo nuk ka mjaftuar për ta ndrequr marrëdhënien e prishur trajner-pronarë të klubit. Në Cagliari, pra, pritet një e diel vendimtare për të ardhmen e afërt të Romës. E ardhmja e Mourinhos është e lidhur me 90 minutat ndaj Claudio Ranieri.