Jose Mourinho do të ndjekë nga tribuna ndeshjen ndaj Interit në “San Siro”, e planifikuar për pasditen e të dielës.
Megjithatë në konferencën e zakonshme për shtyp tekniku verdhekuq ka ndezur ndeshjen e fundjavës ndaj Interit, duke hapur sërish çështjen e transferimit të Romelu Lukakut te Roma, ndonëse belgun e prisnin te Interi.
“Lukaku është një lojtar shumë i rëndësishëm për Romën dhe do të luajë titullar ndaj Slavias së Pragës. Nuk do të ishte kurrë kaq i rëndësishëm për Romën dhe mendoj se duhet analizuar mënyra si komentohet transferimi i tij te Roma. Të gjithë e shohin si dramë, ndërkohë që kalimin e Calhanoglu nga Milani te Interi e shohin si mrekulli. Nuk e dija që te Interi janë lidhur kaq shumë me Lukakun”, tha portugezi, duke thumbuar ambientin zikaltër pak ditë para transfertës.
Ndërkohë tifozeria e Interit ka shpërndarë 50 mijë bilbila për të pranishmit në “San Siro”, në mënyrë që të vërshëllejnë në çdo prekje të topit nga ana e Lukakut. Inter-Roma do të luhet të dielën në orën 18:00 dhe do të transmetohet live në SuperSport 1.