Në pak më shumë se gjashtë muaj, Napoli-Milan u shndërrua nga një duel për titull dhe Champions në provimin e vjeshtës për dy trajnerët.
Pas dy humbjeve radhazi dhe një faze sulmuese që ka prodhuar vetëm një gol në katër ndeshjet e fundit mes Kupës dhe Serisë A, Stefano Pioli u fut në telashe me barazimin e djeshëm.
Sipas Tuttosport, nga deklaratat e fundit të bëra nga trajneri i Milan-it, Stefano Pioli dhe nga drejtuesi Furlani, mund të kuptohet se pa titull rrugët e Milan-it dhe trajnerit mund të ndahen.
Klubi ka ndërprerë bashkëpunimin në verë me Maldinin dhe Massara-n, me synimin për të ndërmarrë një rrugë të re dhe për ta kthyer ekipin në nivelet e mëparshme.
Drejtuesit kanë zgjedhur të vazhdojnë përpara me Stefano Pioli-n, duke përforcuar skuadrën në bazë të kërkesave të bëra nga vetë tekniku.
Pas sforcimeve të bëra në merkato, pronësia kërkon që të paktën skuadra të luftojë për titullin deri në fund të kampionatit.
I pari që e di këtë është Stefano Pioli, që në konferencë për shtyp ka pranuar se, pavarësisht kontratës që i skadon në 2025-ën, titulli do të jetë një kusht i domosdoshëm për të vazhduar bashkë edhe sezonin e ardhshëm.