Thomas Muller drejt Serie A.
Thomas Muller është në vitin e fundit të kontratës së tij me Bayern Munich dhe për momentin, sulmuesi gjerman nuk ka rinovuar ende marrëveshjen me bavarezët.
Edhe pse në Mynih të gjithë e shohin atë si figurën më përfaqësuese të klubit dhe për tifozët është i paprekshëm, mungesa e akordit ka bërë që drejt lojtarit tashmë të shfaqin interes skuadra të tjera.
Ka disa prej tyre nga kampionati gjerman, por ku Muller vështirë se do të vazhdonte për t’u bërë kundërshtari i Bayernit. Ndaj më të avantazhuara janë ekipe nga vende të tjera.
Manchester United ka kërkuar vazhdimisht shërbimet e sulmuesit, por sipas “Bild”, në garë kanë hyrë edhe tre emrat e mëdhenj të futbollit italian: Milan, Inter dhe Juventus.
Të tre janë në garë për të siguruar një futbollist i cili do të transferohej në verë me parametra zero dhe për këtë arsye, do t’u jepte mundësinë që t’i ofronin një rrogë të lartë, pavarësisht faktit se ai ka mbushur 34 vjeç.