Trajneri i Juventusit, Masimiliano Alegri, është dënuar sot nga Federata Italiane, për ngjarjet pas ndeshjes së skuadrës së tij ndaj Xhenoas.
Bardhezinjtë u ndalën në një barazim 1-1 dhe trajneri nuk e ka pritur mirë këtë rezultat, duke menduar se pjesë e problemit ishin edhe gjyqtarët dhe VAR-i.
Sipas procesverbaleve të bëra publike për arsyetimin e dënimit, Alegri ka shkuar në dhomat e zhveshjeve të gjyqtarëve duke protestuar për vendimet e tyre dhe VAR-it, një ngjarje që është pasqyruar në raportin e arbitrit mbi situatën e krijuar. Për këtë arsye, ai është ndëshkuar me një shifër të majme prej 10 mijë eurosh gjobë dhe është paralajmëruar për pezullim në raste të ngjashme në të ardhmen.
“Pasi në fund të ndeshjes ndaj Xhenoas, ka kundërshtuar në dhomat e zhveshjeve të zyrtarëve të ndeshjes,, në fillim me ton të ulët, punën e gjyqtarëve dhe më pas, duke shfaqur mungesë respekti, edhe punën e VAR-it, aq sa gjyqtaria i ndeshjes e kishte ftuar që të dilte jashtë dhomave të zhveshjes”, shkruhej në argumentimin për ngjarjen në fjalë.