“ThuLa” nuk mjafton, Inter transferon në verë bomberin 60 milionësh

Inter ka gati goditjen e madhe për merkaton e verës.

Interi i dha fund aventurës në Ligën e Kampionëve, pikërisht në fazën e 1/8-ave, pasi u mposht nga Atletico Madrid, në dy përballje ku zikaltrit natyrisht që meritonin më shumë dhe mund të gjenin lehtësisht çerekfinalet, nëse do të tregoheshin më të saktë në finalizim.

E tre ditë pas eliminimit, kur gjakrat janë më të ftohtë, evidentohet sërish ajo që ishte cilësuar si një problem për skuadrën e Inzaghit që në fillim të sezonit, fakti që dyshja Arnautovic-Sanchez nuk kanë arritur asnjëherë të ngrihen në nivelin e titullarëve Thuram-Lautaro.

Nëse Interi ka bërë një sezon perfekt deri tani, është pikërisht falë dy sulmuesve që kanë shënuar shumë, por sa herë që është dashur ndihma e dy veteranëve që qëndrojnë në pankinë, ka munguar.

Arnautovic është dëmtuar për herë të dytë, duke konfirmuar se nuk jep garanci fizike, por edhe kur ka qenë në dispozicion të Inzaghit, ka shpërdoruar shumë dhe këtu mjafton të sjellim në vëmendje dy raste flagrante ndaj Atleticos së Madridit në ndeshjen e parë në “San Siro”.

Nga ana tjetër edhe Sanchez, përtej sinjaleve të mira që jep herë pas here, nuk ofron vazhdimësi dhe gjasat janë që klubi zikaltër të mos i rinovojë kontratën që i përfundon në fund të këtij sezoni.

Sportitalia, ka lëshuar një lajm bombastik duke bërë të ditur se drejtuesit e Interit synojnë transferimin e Joshua Zirkzee në merkaton e verës.

Zirkzee, po shkëlqen te Bolonja këtë sezon duke realizuar 11 gola dhe 6 asistime në 30 ndeshje të luajtura.

Falë paraqitjeve mbreslënëse holandezi ka përfunduar në shënjtestrën e gjigantëve italian si Milan dhe Juventus, por garës i është bashkuar edhe Interi.

Bolonja kërkon 60 milionë euro për ta lënë të lirë, por te Inter besojnë se mund ta transferojnë Zirkzee në Meazza për një shifër më të ulët.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here