Bisedimet kanë nisur, Inter ia rrëmben edhe një tjetër yll Napolit.
Eliminimi nga Champions League ka lënë pasoja te Interi, të paktën në aspektin fizik, teksa pas 120 minutave të hidhura në Madrid, zikaltrit nuk shkuan përtej barazimit 1-1 me Napolin në “San Siro”.
Në fushë skuadrat u ndanë në paqe, por sa i përket merkatos, zikaltrit i kanë dhënë një goditje tashmë napoletanëve duke ia rrëmbyer Zielinskin me parametra zero.
Zielinski ka vendosur t’i bashkohet Interit në verë, ndërsa sipas raportimeve të fundit edhe një tjetër yll i Napolit mund të transferohet në Meazza.
Calciomercato, ka lëshuar një lajm bombastik duke raportuar se Inter është në bisedime me agjentin e portierit të Napolit, Alex Meret.
Meret i skadon kontrata në verë dhe agjenti i tij ia ka ofruar shërbimet e 26-vjeçarit Interit.
Neroaxurët nuk ia kanë mbyllur derën mundësisë së afrimit të Meret, pasiqë janë në kërkim të pasardhësit të Yann Sommer, i cili sezonin e ardhshëm mbush 36-vjeç.
Mbetet ta shohim nëse Inter do të vendos t’ia rrëmbejë Napolit në verë edhe Meret.