Massimiliano Allegri është drejt fundit të aventurës tek Juventus, me Thiago Motta-n që duket se është i preferuari i Giuntoli-t, i cili i është futur punës në merkato për të përforcuar ekipin dhe njëkohësisht për të ulur tavanin e pagave.
Një nga përparësitë e drejtuesit të Juventus-it është Teun Koopmeiners por holandezi vlerësohet nga Atalanta rreth 60 milionë euro, pa llogaritur se për të interesohen klube të ndryshme angleze.
Ndërsa është më i arritshëm një nga zbulimet e këtij sezoni të Serisë A. Bëhet fjalë për Lewis Ferguson të Bologna-s.
Skocezi është një mesfushor i gjithanshëm, teknik dhe fizik, me një inteligjencë të madhe taktike.
Kjo dëshmohet edhe nga fakti se Ferguson është një nga pikat e forta të Bologna-s së Thiago Motta-s.
Juventus e ka seriozisht për Ferguson-in, aq sa, sipas ekspertit të merkatos Ekrem Konur, duket se është gati të ofrojë më shumë se 25 milionë euro.
Me këtë ofertë, Giuntoli shpreson të mposhtë konkurrencën e Milan-it dhe Napoli-t.