Milan ka gati goditjen e madhe për merkaton e verës.
Milan po mendon për sezonin e ri, teksa gjatë verës pritet të ndodhin disa ndryshime të rëndësishme.
Sulmuesi i Sporting Lisbonës, Viktor Gyokeres, po bëhet një opsion gjithnjë e më i mundshëm për Milanin para afatit kalimtar veror dhe ‘Rossonerët’ janë të gatshëm të përdorin Zlatan Ibrahimovic në negociata.
‘Rossonerët’ janë në kërkim të një sulmuesi ideal për një periudhë afatgjatë, pasi Olivier Giroud tashmë ka mbushur 37 vjet dhe kontrata e tij do të skadojë në fund të sezonit.
La Gazzetta dello Sport raporton se ideja e nënshkrimit me Gyokeres po bëhet një opsion shumë i mundshëm për drejtuesit e klubit.
Suedezi po kalon një super sezon të Sporting, me Gyokeres që ka shënuar 36 gola në 38 ndeshje në të gjitha kompeticionet, ndërsa vlera e kartonit të tij llogaritet rreth 60 milionë euro dhe sulmuesi ka kontratë me portugezët deri në verën e vitit 2028.
Klauzola e Gyokeres është 100 milionë euro, por te Milan besojnë se mund ta transferojnë suedezin për një shifër më të ulët.
Ibrahimovic ka marrëdhënie të shkëlqyeshme me Gyokeres dhe ky i fundit preferon kalimin në San Siro para Arsenal dhe Chelsea. Rosonerët janë të gatshëm të ofrojnë 60 milionë euro për kartonin e suedezit.