Pas mbylljes së hetimeve delikate për çështjen “Açerbi-Huan Zhesus”, Xhuezepe Kine ka rifilluar punën për çështjet e ndryshme që prej ditësh janë në tryezën e prokurorisë federale, duke nisur me dosjen e hapur për Milanin.
Një hetim i lindur pasi Prokuroria e Milanos, më 13 mars, futi në regjistrin e të dyshuarve Xhorxho Furlanin dhe Ivan Gazidis, respektivisht administratori aktual dhe i mëparshëm i klubit kuqezi, me akuzën e pengimit të ushtrimit të funksioneve të autoriteteve mbikëqyrëse publike në kohën e shitjes së klubi nga “Elliott” te “RedBird” në gusht 2022. Referenca është te Federata e Futbollit, një organ privat, por që prokurorët Polici dhe Kavaleri e konsiderojnë atë si të drejtë publike në ushtrimin e veprimtarisë së tyre mbikëqyrëse.
DEKLARATA DHE PYETJE – Duke iu rikthyer drejtësisë sportive, Kine – i cili mori një pjesë të parë të dokumentacionit nga Milani disa javë më parë, është vazhdimisht në kontakt me prokurorët e Lombardisë dhe synon të kërkojë dokumente të reja për të qartësuar edhe më mirë situatën. Deri më tani ka marrë vetëm 12 faqet e aktit ligjor të kontrollit, por tashmë shpreson të ketë diçka më të detajuar, ndoshta duke përfshirë analizën e përmbajtjes së pajisjeve të sekuestruara nga zyrat dhe shtëpisë e Gazidisit e Furlanit. Por kjo nuk është e gjitha, shumë shpejt prokurori federal do të vazhdojë me marrjen në pyetje, një proces që në mënyrë të pashmangshme duhet të përfshijnë dy të dyshuarit.
RREZIQET – Çështja është mjaft serioze sepse nga pikëpamja sportive, Milani rrezikon një dënim me heqje pikësh në renditje. Objekti i hetimit nga Prokuroria e federatës janë në fakt deklarimet e supozuara të rreme nga kuqezinjtë në komisionin për blerjen e aksioneve të shoqërisë. Qëllimi kryesor është që të konstatohet se në momentin e kalimit të pronësisë, nuk është mbajtur asnjë informacion i nevojshëm që komisioni të vlerësojë veçanërisht kriteret e reputacionit të mirë dhe soliditetit financiar të pronarëve të ardhshëm. Çështja përcaktohet nga neni 20 që rregullon “Blerjet dhe shitjet e aksioneve të korporatave në fushën profesionale”, sanksionet e të cilit i referohen shprehimisht nenit 32 të Kodit të Drejtësisë Sportive, i cili, siç u përmend, parashikon edhe penalizimin me heqjen e pikëve. Pasi të jenë studiuar të gjitha dokumentet me vëmendjen më të madhe, Kine mund të përfshijë edhe një nene tjetër (nr 4), i cili detyron klubet dhe drejtuesit të respektojnë “parimet e besnikërisë, korrektësisë dhe ndershmërisë”, ndërsa Milani, bazuar në nenin 6, mund të akuzohet për përgjegjësi të drejtpërdrejtë, duke qenë se bëhet fjalë për dy administratorë.