Zbulohet goditja e parë e Fonsecas si trajner i Rosonerëve.
Milani ndan mendjen për trajnerin e ri. Klubi kuqezi duket i vendosur të mbyllë bashkëpunimin me Stefano Piolin në fund të sezonit dhe duket se ka gjetur tashmë edhe pasuesin e teknikut italian.
Media pranë klubit milanez bën me dije se i përzgjedhuri i Ibrës dhe drejtuesve kuqezi, është portugezi Paulo Fonseca, aktualisht trajner i Lille në Francë, ku ka bërë një punë mjaft të mirë.
Fonseca do të drejtojë Lille për herë të fundit nesër dhe do të provojë të sigurojë një biletë në zonën Champions, para se të largohet nga Franca, për t’u rikthyer sërish në Itali, aty ku më herët ka drejtuar Romën.
Ibra mësohet se ka pasur një telefonatë të gjatë me trajnerin portugez dhe të dy kanë rënë parimisht dakord për të nisur një bashkëpunim sezonin e ri, teksa shumë shpejt pritet edhe zyrtarizimi.
Në këtë mënyrë, Milani duket se ka zgjedhur t’i besojë një trajneri të konfirmuar në nivel ndërkombëtar, por që njëkohësisht njeh mirë edhe Serinë A, pasi ka qëndruar te Roma në periudhën 2019-2021.
Sipas gazetarit të njohur italian Daniele Longo, në rast se Fonseca merr drejtimin e Milanit, përforcimi i tij i parë në San Siro do të jetë mbrojtësi i Lille, Tiago Santos.
Santos po bën një sezon të shkëlqyeshëm me Lille, ndërsa kartoni i tij vlen rreth 10 milionë euro, shifër aspak problemtike për Rosonerët.