Jo një, por tre blerje.
Tre afrime që do t’u bashkohen 4 lojtarëve që ka transferuar Juventusi deri tani dhe do të shërbejnë për të rritur nivelin e organikës së bardhezinjve.
Sepse ky është diktati i vendosur nga adminsitratori i deleguar Mauricio Skanavino: “Zonja e Vjetër” për sezonin 2024-2025 duhet të jetë kompetitive në të gjitha frontet. Në ditën kur u zyrtarizua Huan Kabal, moskëtieri i katërt i merkatos së verës për bardheiznjtë, Xhuntoli ka “pranuar” edhe 3 dhurata të tjera për Tiago Motën. E ka bërë madje gjatë konferencës së prezantimit të trajnerit të ri. “Dua që ta falënderoj Tiago Motën që e ka pranuar këtë sfidë dhe dua t’i uroj fat në të ardhmen. Deri tani kemi larguar 3 lojtarë si Iling, Barreneçea, Kaio Zhozh dhe Ken dhe kanë ardhur 4: Dagllas Luiz, Turam, Di Gregorio dhe Kabal. Dua që bëj një sqarim sepse po qarkullojnë lajme se trajneri ka nxjerrë jashtë skuadrës disa futbollistë. Ne i vlerësojmë të gjithë lojtarët dhe në fund do të bëjmë llogaritë. Duam një ekip kompetitiv, por edhe me një vëmendje te llogaritë. Duhet që të afrojmë edhe një lojtar për repart që skuadra të tjetë e fortë”, ka thënë drejtori sportiv.
GATI GALENO- Një lojtar për repart do të thotë një mbrojtës qëndror, një mesfushor (fantazist, anësor). Nuk përjashtohet mundësia që të vijnë të dy. Për këtë arsye Juventusi është duke punuar në disa tavolina. Emri më i përfolur është ai i Galenos, brazilian anësor i Portos që ka pasaportë portugeze. Kjo është shumë e rëndësishme sepse klubi nuk ka më vend për ekstrakomunitarët. Është shpërthyes dhe i shpejtë. Ka shënuar 15 gola në 2 sezonet e fundit. Kuotat e tij për një transferim të mundshëm po rriten dita ditës. Përveç se Mota e vlerëson shumë, Porto ka dëshirë që të shesë për të rregulluar bilancin. Galeno ka një klauzolë 60 milionë euro, por mund të mjaftojnë edhe 30-40. Gjatë kësaj kohe Juventusi vazhdon që të ketë kontakte për Karim Adejemin, 22-vjeçarin e Borusias së Dortmundit që ka thënë miratimin për transferimin në Torino. Kërkesa e gjermanëve është 40-50 milionë euro, por Xhuntoli është duke parë edhe alternativa të tjera. Qëndron ende e gjallë pista për Xhejdon Sançon e Junajtid.
TODIBO- Sa i përket kapitullit të mbrojtësit, emri i nxehtë është ai i Zhan Kler Todibo, qëndrori i Nicës që ka shprehur dëshirën për t’u larguar nga këta të fundit. Në Torino do të shkonte me qejf, por për momentin bardhezinjtë nuk i kanë 40 milionë euro për të investuar dhe po punojnë thjesht për një huazim. Duhet kujdes nga konkurrenca e Uest Hemit. Alternativat janë Lakrua, Lengle apo Kivior.
ËNDRRA- Në fund është mesfushori. Teksa “Zonja” është dorëzuar përfundimisht për Adrien Rabionë, ëndrra e madhe mbetet Teun Kopmainers. Pavarësisht deklaratës së drejtorit sportiv Luka Perkasi që Atalanta nuk e ka nxjerrë në shitje lojtarin holandez, duket se bardhezinjtë nuk janë dorëzuar. Ata kanë prej muajsh një marrëveshje të fshehtë me lojtarin, por ka një distancë mes ofertës që kanë gati drejtuesit e Juventusit (40 milionë) dhe kërkesës së Atalantës (60 milionë). Vera është e gjatë, por Xhuntoli është në punë për të bërë 3 dhurata.