Keylor Navas në Serie A.
Szczesny i tha “jo”? Asnjë frikë për Monza, e cila ndihet e qetë për shkak të ardhjes së Keylor Navas. Trajneri Alessandro Nesta do të ketë ekspertin dhe portierin e tij të nivelit të lartë, disa herë në “çatinë” e Francës, Spanjës dhe Europës.
Përshpejtimi i neogiciatave të orëve të fundit çoi në “po” e kostarikanit, i cili do të mbrojë portën e Monza në kampionatin e ri, që do të nisë nga mesi i gushtit. Gjithçka është bërë për kalimin e Navas te skuadra e Gallianit, sipas “Sky Sport”, me vizitat mjekësore tashmë të planifikuara për të marten, më 30 korrik.
I lirë, pas largimit nga PSG, portieri Navas mbetet në ligat kryesore europiane, duke u transferuar në Itali. Pasi ka lënë gjurmë me emrat e mëdhenj, Keylor do të luajë për një ekip që ka mahnitur në dy vitet e fundit.
Keylor Navas mbërrin në Itali si lojtar i lirë. I vetmi shpenzim që do të bëhet nga Monza do të jetë paga vjetore e ish-portierit të Real Madridit. Nuk është zbuluar ende se sa do të fitojë Keylor Navas në Serie A, por lojtari i lindur në vitin 1986 me siguri nuk do të marrë rrogën që pati në Madrid dhe Paris.
Kostarikani zgjodhi ta ulë në mënyrë drastike pagën e tij, e cila në kohën e PSG ishte rreth 13 milionë euro në sezon. Duke qenë pjesë e Real Madridit dhe PSG-së, Keylor Navas është padyshim ndër portierët më të suksesshëm të 20 viteve të fundit.
Mjafton të thuhet se 38-vjeçari (i mbush dhjetorin e ardhshëm) ka fituar tri Liga Kampionesh me Real Madridin, si dhe katër tituj kampioni ndërmjet La Liga-s e Ligue 1, katër Kupa të Botës për Klube, tri Superkupa Europiane.