Shkëmbimi i merkatos së verës!
Tuttosport raporton se Juventus dhe Manchester United po mendojnë për një shkëmbim të bujshëm, i cili do të finalizohet në merkaton e ardhshme në verë.
“Djajtë e Kuq” kërkojnë brazilianin Douglas Luiz, ndërsa bardhezinjtë sulmuesin Joshua Zirkzee. Douglas Luiz u transferua për 50 milionë euro verën e kaluar nga bardhezinjtë, por në sezonin e tij të parë në Serie A ka qenë një dështim i vërtetë dhe është i hapur për rikthimin në Premier League.
Në anën tjetër, holandezi Joshua Zirkzee i cili u transferua po ashtu verën e kaluar për 42 milionë euro te Manchester United, është i joshur nga ideja për t’u rikthyer në Serie A, aty ku shkëlqeu te Bologna.
Dy trajnerët respektiv, Ruben Amorim dhe Thiago Motta kanë dhënë “ok” e tyre për këtë shkëmbim, pasi nuk i shohin dy lojtarët në fjalë si pjesë e projektit të tyre për sezonin e ardhshëm.
Po ashtu vlen për t’u përmendur fakti që të dy klubet i kanë marrëdhëniet shumë të mira në merkato dhe kanë pasur disa marrëveshje vitet e fundit, ndaj edhe ky shkëmbim duket se nuk do të ketë asnjë problem për t’u finalizuar.