Milani i madh po kthehet, Tare transferon pesë yje

E di mirë që e pret një mision i vështirë, por Igli Tare i ka idetë e qarta për Milanin e së tashmes dhe të së ardhmes.

Këtë e ka kuptuar qartë edheadministratori i deleguar Giorgio Furlani, i cili ka zhvilluar disa takime me të në kryeqytet (i dyti zgjati 5 orë) dhe që nga ai moment nuk ka ndërprerë më kontaktet me shqiptarin. Ideja që të dy ndajnë është të ndërtojnë një Milan më italian, si në stol, ashtu edhe në dhomat e zhveshjes. Duhet një grup më Italian, ose së paku i përbërë nga lojtarë që e njohin mirë Serie A, qoftë nga përvoja e kaluar apo aktuale. Lojtarë me fizik, shpërthim dhe uri. Aq më mirë nëse janë të rinj.

Udogie dhe Ndoye
Shumëçka do të varet edhe nga largimet. Kësisoji, nëse Theo Hernandez do të largohet nga “Milanello”, një emër për krahun e majtë është Destiny Udogie, anësori i Tottenham dhe i kombëtares së Italisë. Tare kishte menduar për të që kur ishte te Lazio, por atëherë Tottenham kishte më shumë fuqi ekonomike. Tani, ish-lojtari i Udineses mund të bëhet sërish objektiv për shqiptarin, dhe këtë herë fundi mund të jetë ndryshe.

Në krahun tjetër, por për t’u përdorur më përpara, vëmendja është te Dan Ndoye, që bëri një sezon fantastik me Bologna dhe i dha Kupën e Italisë pikërisht kundër Milanit. Nëse Vincenzo Italiano do të jetë trajneri i ri kuqezi, zvicerani do të ishte një goditje shumë e pëlqyer. E njëjta gjë vlen për Jens Odgaard, mesfushor ofensiv i Bologna. Të tre këta lojtarë kanë në këmbë futboll me intensitet të lartë, çka preferohet si nga Tare, ashtu edhe nga tekniku italian.

Një top-lojtar si Gila
Për mbrojtjen, që pritet të rindërtohet pasi Tomori dhe Thiaw janë pranë largimit, lojtari i preferuar i Tares është Mario Gila. Ishte pikërisht shqiptari, ai që e mori te Lazio dhe, nëse do të ketë mundësi ta çojë te Milani, s’do të ngurrojë.

Në lidhje me (ish) lojtarët e Lazios, vëmendje edhe për Luiz Felipe, që u rikthye në janar në Europë, pas aventurës tek Al-Ittihad. Ai ka luajtur pak te Marseille dhe nëse Tare e thërret…

Për një Milan më italian, mos nënvlerësoni edhe Pietro Comuzzo (sapo ka rinovuar me Fiorentinën, është edhe në shënjestër të Juves), Giovanni Leoni i Parmës dhe Diego Coppola i Hellas Verona. Të tre do të ishin investime për të tashmen dhe të ardhmen.

Lucca për më shumë centimetra
Në sulm, fiziku i Lorenzo Lucca (sulmuesi i Udineses) mund të jetë një ide për Taren, që ndoshta e sheh veten te numri 17 i bardhezinjve, për karakteristikat fizike dhe teknike. Milani nuk e ka një sulmues të tillë, sidomos tani që shkëmbimi mes Abraham dhe Saelemaekers me Romën ka “ngrirë”.

Në avancë, Milani po ndjek edhe Federico Chiesa, që mund të ketë rastin për t’u rikthyer në Itali, pas një sezoni ku nuk ka pasur rol protagonisti te Liverpool-i. Tare ka bërë shumë operacione të tilla në karrierën e tij, pse të mos shtojë edhe një tjetër?

Ëndrra Milinkovic-Savic
Është e qartë që nëse Tare do të mund të zgjidhte një lojtar për ta sjellë në “Milanello”, ai do të ishte Sergej Milinkovic-Savic, të cilin e zbuloi dhe e mori te Lazio. Që t’ia marrë atë Al-Hilal, klub i cili e bleu 40 milionë euro dhe i jep 20 milionë euro në sezon, aktualisht duket si fantashkencë. Kurrë mos thuaj kurrë, por në këtë moment duket më e mundur që Milani të fokusohet te një mesfushor me tipare të ngjashme.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here