Milani i Masimiliano Alegrit do të jetë ndryshe nga ai aktual.
Dhe trajneri kërkon ta ndërtojë me lojtarë që i ka parë nga afër në veprim apo i ka piketuar që në vitet te Juventusi.
Mediat italine raportojnë se ai ka bërë një kërkesë shumë specifike për një lojtar të cilin do të dëshironte ta kishte në skuadër.
Bëhet fjalë për Andrea Kambiaso, futbollistin e Juventusit dhe Italisë, i cili ka përfunduar në radarët e klubeve më të mëdhenj në Europë.
“SportMediaset” bën të ditur se trajneri i ka kërkuar Igli Tares të mundohet të sigurojë lojtarin, që e sheh si emrin ideal për skemat e tij në krahun e mbrojtjes, nga e cila do të largohet Teo Hernandez.
Megjithatë, çmimi i futbollistit është ai që shqetëson kuqezinjtë, pasi Juventusi e vlerëson shumë lart lojtarin.
Kjo tregohet nga fakti se në janar u bënë negociata për shtijën e tij për 60 milionë euro te Mançester Siti.
Ky i fundit pritet të kthehet në garë për lojtarin këtë verë dhe te Milani tani shpresojnë të shohin në veprim “magjistarin” Tare, i cili njihet për goditjet e tij të papritura me kosto të ulët.
Do të jetë e vështirë, por në mediat italiane nuk e cilësojnë të pamundur, duke pasur parasysh se Milani do të përfitojë disa dhjetëra miliona euro nga shitjet që pritet të bëjë gjatë kësaj vere.