Dhurata e parë për Chivu-n, Inter transferon yllin 60 milionësh

Marotta ka gati dhuratën e parë për Chivun.

Interi është duke monitoruar nga afër situatën e mesfushorit brazilian të Atalantës, Ederson, si një zëvendësues i mundshëm për Hakan Calhanoglu, në rast se turku largohet gjatë kësaj vere.

Sipas raportimeve të së enjtes në mbrëmje, mesfushori turk është lidhur me një transferim të mundshëm te gjigantët turq të Galatasarayt.

Megjithatë, deri më tani, Interi nuk ka pranuar asnjë ofertë zyrtare për 31-vjeçarin, i cili ka kontratë me “Nerazzurrët” deri në verën e vitit 2027.

Klubi italian është i gatshëm të shqyrtojë vetëm oferta që nisin nga 40 milionë euro për një lojtar që ka pasur rol vendimtar në mesfushë gjatë tre sezoneve të fundit.

Në rast të largimit të Calhanoglu, Interi e sheh Edersonin si një nga opsionet kryesore.

Braziliani 25-vjeçar ka shkëlqyer nën drejtimin e Gian Piero Gasperinit te Atalanta dhe është bërë objekt interesimi nga disa prej klubeve më të mëdha evropiane.

Manchester City dhe Manchester United janë ndër klubet që kanë treguar interes, ndonëse asnjë qasje zyrtare nuk është bërë nga këta të fundit.

Al-Hilal, Juventusi dhe siç e cekëm Interi janë ndër klubet që konsiderohen të interesuara për Edersonin, i cili gjithashtu ka kontratë me Atalantën deri në vitin 2027.

Duke marrë parasysh rëndësinë që ai ka për skuadrën nga Bergamo, Atalanta nuk është e gatshme të pranojë një ofertë të ulët.

Sipas Calciomercato.com, çmimi i vendosur për kartonin e mesfushorit është rreth 60 milionë euro.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here