Inter pa frena në merkato, zikaltërit transferojnë yllin 30 milionësh

Inter pa frena në merkato, zikaltërit kanë gati goditjen e pestë.

Klubi zikaltër i Interit duket se ka ndryshuar strategji dhe tani është gati të bëjë një hap konkret për transferimin e mbrojtësit të ri premtues të Parmës, Xhovani Leoni.

Burime pranë klubit raportojnë se në orët e fundit drejtuesit kanë vendosur të mos presin më për një shitje të mundshme të Hakan Çalhanoglusë, duke e shtyrë përpara ofensivën për Leonin.

Plani fillestar i drejtuesve Marota dhe Ausilio parashikonte shitjen e mesfushorit turk si mënyrë për të financuar blerjen e Leonit. Megjithatë, pas një takimi të pasuksesshëm me Gallatasarajin, Interi ka vendosur të mos humbasë më kohë dhe të investojë menjëherë për të mbyllur marrëveshjen me klubin e Parmës.

Kjo nuk është hera e parë që Interi ndjek Leonin. Drejtori sportiv, Ausilio, e kishte pikasur talentin e tij që kur luante me Sampdorian, por atëherë marrëveshja nuk u realizua.

Sot, skenari duket më optimist, Interi është gati të plotësojë kërkesat e Parmës, e cila vlerëson kartonin e mbrojtësit 30 milionë euro, edhe pse zikaltrit do të tentojnë të negociojnë një çmim më të ulët.

Përveç vlerave teknike, Leoni gëzon mbështetjen e madhe të Kristian Kivusë, ish-mbrojtësit të famshëm të Interit, aktualisht trajner, i cili e ka stërvitur më parë dhe beson fuqishëm në potencialin e tij.

Pavarësisht se do të mbushë vetëm 19 vjeç në dhjetor, Leoni ka treguar maturi dhe aftësi mbresëlënëse në duelet një për një, duke u shfaqur si një prej mbrojtësve më të premtues në futbollin italian.

Objektivi i Interit nuk është thjesht të zëvendësojë një lojtar, por të forcojë skuadrën me elementë të rinj dhe premtues.

Me Milanin që qëndron gjithashtu në prapaskenë, gara për Leonin mund të jetë e fortë, por Interi duket i vendosur të mos e humbasë këtë mundësi. E ardhmja është e Leonit, dhe ndoshta shumë shpejt edhe e Interit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here