Gjiganti italian pa frena në merkato, nis sulmin për transferimin e Rashford

Juventusi ka hapur negociatat për të transferuar Marcus Rashford dhe Jadon Sancho nga Manchester United, në një përpjekje për të forcuar repartin ofensiv.

Dy sulmuesit anglezë janë pjesë e një grupi prej pesë lojtarësh që klubi anglez kërkon t’i largojë këtë verë.

Sipas raportimeve të “Sky Sports Italia”, Sancho është më afër një marrëveshjeje. Juventus ka zhvilluar bisedime pozitive me përfaqësuesit e tij të mërkurën dhe tashmë është afër mbylljes së transferimit për rreth 15 milionë euro – një shifër shumë më e ulët sesa që Mn United pagoi për të në vitin 2021.

Sancho, i cili u huazua te Chelsea sezonin e kaluar, nuk është paraqitur më për ekipin e parë të Man United që nga gushti 2023. Blutë paguan 6 milionë euro për të mos e nënshkruar përfundimisht.

Ai është lejuar të stërvitet vetëm pas orës 17:00 në qendrën stërvitore të klubit, së bashku me lojtarët e tjerë të përjashtuar nga planet e trajnerit të ri, Ruben Amorim.

Ndërkohë, Juventusi ka hapur edhe kontaktet e para për Rashfordin, i cili gjithashtu nuk bën pjesë në planet e trajnerit portugez.

26-vjeçari u huazua te Aston Villa në janar, ku rigjeti formën, por vendosi të mos qëndrojë përfundimisht në “Villa Park”.

Barcelona mbetet destinacioni i preferuar i Rashford, por pas dështimit për të transferuar Nico Williams, katalanasit janë fokusuar tek Luis Diaz i Liverpoolit. Kjo mund t’i hapë rrugën “Zonjës së Vjetër” për të bindur Rashfordin me një rol qendror në projektin e saj të ri.

Man United tashmë ia ka dhënë fanellën me numër 10 lojtarit të sapoardhur Matheus Cunha nga Wolves – një tjetër shenjë se koha e Rashford në “Old Trafford” po mbyllet.

Juventusi synon të përfundojë dy marrëveshjet brenda javëve në vijim, me prioritet Sanchon dhe me Rashfordin, në varësi të zhvillimeve.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here