Kristjan Asllani i ka ditët e numëruara te Interi, pasi mesfushori shqiptar nuk bën më pjesë në planet e trajnerit Christian Chivu për sezonin e ri.
Pas mbërritjes së Petar Sucic, hapësirat për ish-lojtarin e Empolit janë ngushtuar edhe më shumë, duke e bërë largimin e tij një skenar shumë të mundshëm.
Asllani nuk ka arritur të fitojë një vend titullari te Interi dhe ka mbetur gjithmonë në hijen e Hakan Calhanoglut, pa u parë si një zëvendësues i besueshëm.
Ish-lojtari i Empolit ka refuzuar disa oferta nga jashtë Italisë, pasi dëshiron të vazhdojë karrierën në Serie A.
Sipas “Gazzetta dello Sport”, Bologna ka dalë në skenë si pretendente, sidomos pas dëmtimit të Lewis Ferguson, që do të mungojë të paktën tre javë.
Megjithatë, Interi e vlerëson Asllanin pak më pak se 20 milionë euro, ndërsa Bologna mund të provojë një marrëveshje huazimi me të drejtë blerjeje.
Bisedimet pritet të intensifikohen në ditët në vijim, ndërsa e ardhmja e Asllanit do të vendoset para mbylljes së afatit kalimtar veror.
Mesfushori shqiptar kishte një ofertë nga Real Betis në La Liga, por ai e refuzoi atë mundësi pasi mbetet i përqendruar ta vazhdoj karrierën në Serie A.