Juventusi po shqyrton opsione për të forcuar mesfushën, me merkaton e janarit që shihet si një mundësi e rëndësishme për përmirësime.
Duke folur për “TMW”, drejtori Niccolo Ceccarini ka zbuluar se klubi bardhezi po planifikon lëvizje të mundshme në këtë drejtim.
“Juventusi mbetet një faktor i rëndësishëm. Ardhja e Spallettit ka sjellë entuziazëm në ambient, por është e qartë se merkatoja e janarit duhet pasur gjithmonë parasysh. Ekipi ka nevojë për përforcime, dhe afrimi i një mesfushori është prioritet. Ka shumë ide në tryezë”, ka deklaruar Ceccarini.
Një nga pistat e fundit lidhet me Davide Frattesin, që ka qenë prej kohësh në radarin e Juventusit.
Megjithatë, një transferim në mes të sezonit shihet si shumë i vështirë për disa arsye, me Interin që nuk pritet të pranojë një shitje në këtë fazë.
“Ndoshta në qershor situata do të jetë ndryshe, por për momentin hapja e negociatave është një rrugë e vështirë”, shtoi Ceccarini.
Mesfushori i Interit mbetet një nga shumë profilet që po monitorohen nga Juventusi, teksa trajneri Luciano Spalletti kërkon të rrisë cilësinë dhe thellësinë e repartit qendror.



