Milani po bën lëvizje të rëndësishme në sulmin e tij.
Në prag të nisjes drejt Riadit për të luajtur në Superkupë, veçanërisht me afatin e transferimeve dimërore vetëm disa ditë larg, kuqezinjtë po kërkojnë një sulmues që mund t’i shtojë “peshë” dhe gjatësi sulmit të tyre.
Drejtuesit po përpiqen ta përshpejtojnë procesin për t’i dhënë Allegrit numrin 9 që ai dëshiron, sa më shpejt të jetë e mundur.
Për janarin, emri që qarkullon më shpesh është Niclas Fullkrug i West Ham, i cili mund të largohet nga “Hammers” në huazim. Sidoqoftë, qëllimi i vërtetë i Igli Tares është të sjellë Dusan Vlahovic në skuadrën e Allegrit.
Sigurisht jo në janar, duke pasur parasysh se sulmuesi serb i Juventusit është i lënduar dhe i është nënshtruar një operacioni, teksa do të kthehet vetëm në mars, por në qershor, kur kontrata e tij me bardhezinjtë skadon.
Vlahovic do të jetë i lirë të flasë dhe të arrijë marrëveshje me çdo ekip duke filluar nga 1 shkurti, Igli Tare thuhet se po përpiqet ta fitojë konkurrencën.
Gazeta spanjolle “Sport” raporton gjithashtu se Barcelona, gjithmonë e prirur për marrëveshje falas, e ka hequr serbin nga lista e objektivave të saj për tregun e ardhshëm të transferimeve, pasi kuptoi se Vlahovic dëshiron vetëm Milanin pas 4 vitesh e gjysmë me fate të përziera te Juventusi.
Dallimi kryesor, thuhet, është lidhja që sulmuesi 25-vjeçar nga Beogradi ka me Max Allegrin, trajnerin i cili “e priti atë si djalë dhe e ndihmoi të bëhej burrë”, siç shkroi vetë Vlahovic në rrjetet sociale kur trajneri i lindur në Livorno u largua nga Juventusi, pasi fitoi Kupën e Italisë.



