Milan ngriti trofeun e Serie A dhe ndikimi i Stefano Piolit është i padiskutueshëm.
Ai erdhi në krye të skuadrës në tetor të vitit 2019 pas shkarkimit të Marco Giampaolo dhe u ‘mirëprit’ nga fansat me një mosbesim të thellë.
Hashtagu #PioliOut filloi të përdorej në Twitter vetëm 4 ditë pasi kishte marrë drejtimin e Rossonerëve pasi mendohej se ishte një zëvëndësues i dobët për faktin që Milan nuk arriti të transferojë Luciano Spallettin në atë kohë.
Por dalëngadalë situata filloi të ndryshonte dhe Pioli filloi që të fitonte besimin e tifozëve kuqezinj.
Ivan Gazidis kishte vendosur për ta sjellur në San Siro teknikun gjerman Ralf Ragnick, por në mbështetje të Piolit dolën Maldini dhe Massara të cilët i besuan të paktën edhe një sezon tjetër atij.
Sezoni 2020/2021 duhej që të ishte i suksesshëm dhe këtë vit Rossonerët arritën vendin e dytë në Serie A dhe gjithashtu u kualifikuan për në Champions League, arritje të kënaqshme për një skuadër që kishte problem edhe kualifikimin në Champions.
Ky sezon që sapo mbaroi i dha të drejtë Paolo Maldinit që i besoi plotësisht Stefano Piolit, një dyshe që së bashku arritën të rikthejnë Scudetton në Serie A pas plot 11 viteve.