Duhej të ishte një nga yjet e paralajmëruar të futbollit europian dhe ndërkombëtar, me pritshmëritë e nxitura nga shuma maksimale e shpenzuar nga Atletico Madrid për ta marrë atë nga Benfica (120 milionë euro).
Megjithatë, gjërat po shkojnë ndryshe për Joao Felix-in, veçanërisht në këtë sezon të vështirë. Dhe tani dyert e Serisë A mund të hapen befasisht për talentin portugez.
I transferuar te Chelsea në merkaton e dimrit me një huazim të shtrenjtë, lojtari nuk do të blihet nga Blutë dhe do të kthehet në Madrid. 11 paraqitje dhe vetëm dy gola për të, në një eksperiencë mjaft mesatare në Londër.
Në verë, Colchoneros do ta mirëpresin sërish, por me synimin për të fituar para nga lamtumira e tij, duke qenë se lojtari nuk është më pjesë e planeve të Diego Simeone, me të cilin marrëdhënia gradualisht është komplikuar.
Një situatë që mund ta shtyjë drejt Italisë. Një marrëveshje që vetëm pak kohë më parë dukej e pamundur, por që tani, me rënien e vlerës së çmimit të tij, do ta bënte atë në dispozicion të klubeve tona, në kushte të veçanta.
Sipas portalit spanjoll Fichajes.net, është duke e menduar seriozisht Milan-i, i cili ende po përballet me rinovimin e vështirë të Rafael Leao-s dhe do ta kishte identifikuar si zëvendësuesin e tij në rastin e largimit të ish-lojtarit të Lille.
Vetëm shitja e Leao-s mund të dërgojë në arkat e Milan-it, shumën e nevojshme për të blerë bashkatdhetarin e tij. Një avantazh tjetër për Milan-in është skadimi i kontratës së Joao Felix në 2024, gjë që do të detyrojë Atletico Madridin të rishikojë kërkesat e tyre paksa në rënie.
Më pas gjithçka mund të orkestrohej me mjeshtëri nga Jorge Mendes, i cili siç dihet është menaxheri i Leaos dhe Joao Felix. Prandaj, Mendes mund të shtyjë në dy fronte: atë të largimit të Leao-s nga Milano dhe atë të ardhjes së njëkohshme të klientit të tij tjetër në Milanello.
Skenarë ende jo konkretë, por që ia vlen të monitorohen me shumë vëmendje në funksion të javëve në vijim, kur merkato do të fillojë të nxehet.