Simone Inzaghi duhet të fillojë të modifikojë planet e tij për ndeshjen e Ligës së Kampioneve që Interi do të luajë kundër Atletico Madrid.
Kjo, pasi titullari i prapavijës së zikaltërve, Francesco Acerbi, ka pësuar një dëmtim gjatë fitores ndaj Romës.
Mbrojtësi ishte autori i golit të parë në atë sfidë dhe dhuroi një paraqitje të mirë përballë dyshes Lukaku-Dybala, duke i lënë rrallëherë që të vinin në provë Sommer.
Por ai ka pësuar një dëmtim në këmbën e djathtë gjatë kësaj sfidë dhe testet e sotme kanë konfirmuar se do të duhet të rishikohet situata e tij në vazhdimësi.
Gjithsesi, që tani përjashtohet mundësia e kthimit në fushë për sfidën e mesjavës së ardhshme ndaj Atletikos dhe për Simone Inzaghin, do të jetë i detyrueshëm kthimi mes titullarëve i Stefan De Vrij, i cili do të jetë në fushë që nga ndeshja e të premtes në kampionat.