Asllani largohet nga Interi, por mbetet në Serie A.
Ndryshe nga një vit më parë, Kristjan Asllani mbylli një sezon me më shumë minuta tek Interi.
Mesfushori shqiptar ishte zgjedhje e dytë pas Hakan Calhanoglu dhe e zëvendësoi denjësisht, kur futbollisti turk mungonte.
Megjithatë, përsëri minutat nuk ishin të mjaftueshme, për një lojtar të ri në moshë dhe që synon të rritet.
Interesimet për Asllanin kanë qenë të shumta, nga Italia, por edhe nga kampionate të tjera. Para pak kohësh u përfol për interesim të Aston Villa-s, ndërsa në garë ishte edhe Atalanta.
Madje, klubi bergamask, sipas mediave italiane, kishte gati edhe një ofertë prej 25 milionë eurosh për shqiptarin, por për Interin, shifra ishte shumë e ulët.
Calciomercato, ka lëshuar një lajm të bujshëm duke raportuar se Fiorentina është e gatshme të ofrojë 30 milionë euro për Asllanin, aq sa e vlerëson Interi.
Mesfushori i kombëtares do ta ketë edhe më të vështirë këtë vit për të fituar minuta, pas afrimit të Zielinskit dhe gjasat për kalimin e tij te Fiorentina janë të mëdha, sipas Calciomercatos.