Pier Kalulu është lojtari më i ri i Juventusit.
Mbrojtësi që u bë i “famshëm” me fanellën e Milanit do të nisë një aventurë të re me bardhezinjtë. Palët gjetën gjuhën e përbashkët në kohë rekord dhe lojtari do të jetë shpejt nën urdhrat e Tiago Motës.
Por ky nuk është lajmi i vetëm nga bisedimet mes Milanit dhe Juventusit. Drejtuesit kanë folur edhe për çështje të tjera që e bëjnë aksin Torino-Milano shumë të nxehtë 2 javë nga fundi i merkatos. Bardhezinjve iu intereson edhe një tjetër lojtar, Aleksiz Salmakers. Tiago Mota e njeh mirë sepse e kishte vitin e kaluar te Bolonja. Ai mund ta bëjë komod edhe me “Zonjën e Vjetër” në rast se nuk do të arrihen marrëveshjet për ata që janë të parët në listën e dëshirave si Niko Gonzales, Konseisao dhe Galeno.
Ndërkohë që Milani mund të “peshkojë” në radhët e Juventusit 2 lojtarë. Emrat që kanë qarkulluar janë ai i Federiko Kiezës dhe Arkadiuzh Milik. Sulmuesi italian ka një rrogë të lartë dhe ky është problemi i madh që “Djalli” nuk po futet në bisedime serioze. Askush në kampin kuqezi nuk i vë në dyshim cilësitë e Kiezës, por e dinë shumë mirë që mund të prishin ekuilibrat në skuadër në rast se sjellin një lojtar me rrogë sa ajo e Leaos, që është nga më të paguarit në skuadër.
Sa i përket sulmuesit polak, gjithçka mund të ndodhë në ditët në vijim. Ai nuk ishte prezent me Juventusin në miqësoren e fundit sepse ende nuk është rikuperuar, por shihet si një sulmues ideal për Fonsekën. Pavarësisht se Milani ia ka dorëzuar fanellën me numrin 9 Luka Joviçit, Ibrahimoviç është duke parë me vëmendje zhvillimet. Edhe Abraham është një lojtar që pëlqehet shumë nga kuqezinjtë.