Inter pranë goditjes së katërt në merkato.
“Na mungon një mbrojtës”, – tha qartë Simone Inzaghi në prag të hapjes së kampionatit në “Marassi”, kundër Genoas.
“A na duhet një tjetër qendërmbrojtës apo Bastoni luan gjithçka? Jo, na duhet patjetër. Sezoni i ri nuk do të ketë asnjë moment pushim”, – bëri jehonë Bastoni pas barazimit 2-2.
Dhe Interi ka punuar ditët e fundit për të kënaqur trajnerin, për t’i dhënë atij një zëvendësues të Bastoni, pas dëmtimit të rëndë të Buchanan me kombëtaren kanadeze në “Copa America”. Në axhendë është takimi i planifikuar, në orët në vijim, me drejtorin sportiv të Independiente Rivadavia, i cili ka mbërritur në Itali.
Pikërisht në këtë “samit”, presidenti Marotta dhe drejtori sportiv Ausilio do të tentojnë ta mbyllin marrëveshjen për argjentinasin e lindur në vitin 2003, Tomas Palacios. Për Palacios, të cilin Independiente Rivadavia e mori nga Talleres, klubi ku u rrit, Interi vendosi një ofertë prej 6.5 milionë euro në tryezë.
Një përqindje e rishitjes së ardhshme mund të përfshihet në operacion. Nga ana e tij, lojtari, i cili tashmë është larguar nga Rivadavia dhe ndodhet në Buenos Aires, në pritje të lajmeve për të ardhmen e tij, me shpresën për të marrë një fluturim për në Itali sa më shpejt të jetë e mundur, ka refuzuar ofertat nga Gjermania dhe Anglia. Ai kërkon vetëm Interin.