Paul Pogba mbetet në Serie A.
Paul Pogba është shumë afër rikthimit në futbollin profesionist, pasi në muajin mars i mbaron afati i pezullimit, që e detyroi të tërhiqej nga fusha e lojës për shumë kohë.
Francezi është në kërkim të një klubi që do t’i lejojë të rifitojë formën e tij më të mirë dhe interesi nuk mungon. Përveç interesimit nga klubet arabe dhe ato të MLS-së, emri i mesfushorit është përfolur shumë për një transferim te Olimpic Marseille, që drejtohet nga Roberto De Zerbi.
Por, në garë për yllin francez ka hyrë fuqishëm edhe Fiorentina. Transferimi i mundshëm i Pogba-s po gjeneron emocione të mëdha në Firence, pasi skuadra “vjollcë” ka precedentë të suksesshëm të kohëve të fundit në rigjallërimin e figurave në dukje të humbura.
Rasti i David de Gea është shembulli më i qartë, ku portieri spanjoll mbërriti te Fiorentina pas një periudhe të gjatë pa luajtur dhe performanca e tij ka qenë aq e jashtëzakonshme sa është kthyer në radarin e skuadrave të tjera të mëdha.
Në klubin “vjollcë” besojnë se Pogba mund të ndjekë të njëjtën rrugë, duke ofruar përvojë dhe cilësi në mesfushë për të përballuar sfidat e Serisë A dhe pjesëmarrjen në garat e tjera.
Sipas Calciomercato, Fiorentina i ka ofruar francezit një kontratë për një vit e gjysmë dhe se marrëveshja pritet të arrihet së shpejti.