Pa u shuar ende zhurma nga largimi i Teo Hernandezit drejt Al-Hilalit, një tjetër alarm vjen për Milanin nga Arabia Saudite.
Këtë herë në qendër të vëmendjes është Kristian Pulisiç, lideri kuqezi dhe një nga lojtarët më të rëndësishëm të dy sezoneve të fundit.
l-Nasr, klubi që ka në gjirin e tij yllin portugez Kristiano Ronaldon, raportohet se ka shprehur interes serioz për yllin amerikan, edhe pse kontrata e tij me Milanin është e vlefshme deri në vitin 2027. Pulisiç, për momentin, është i paprekshëm në sytë e drejtuesve të Milanit.
Drejtori sportiv Igli Tare e ka cilësuar si një lojtar thelbësor për sezonin e ardhshëm, duke konfirmuar qartë se ai është në qendër të projektit teknik të Masimiliano Alegrit.
Klubi është gati t’i ofrojë një rinovim deri në vitin 2029 me një rritje të ndjeshme të pagës, për të shmangur çdo tundim nga jashtë. Por kur bëhet fjalë për klubet saudite, gjithmonë ekziston një “por”.
Ofertat e tyre nuk janë thjesht të mëdha, ato janë shpesh të papërballueshme. Shembujt janë të shumtë, nga Retegi e deri te lojtarë të tjerë që kanë përfunduar në Lindjen e Mesme për shifra marramendëse.
AlNasr, që sapo ka zgjatur bashkëpunimin me Ronaldon dhe po përgatitet për një sezon të ri me ambicie të mëdha nën drejtimin e trajnerit të ri Hezus, është gati të bëjë gjithçka për të siguruar shërbimet e Pulisiç.
Në këtë kontekst, Milanit i duhet të veprojë me vendosmëri dhe shpejtësi. Mungesa e rinovimit brenda pak javësh do të hapte derën për skenarë të rrezikshëm, jo vetëm këtë verë, por veçanërisht sezonin e ardhshëm kur kontrata e amerikanit do të hyjë në vitin e parafundit dhe vlera e tij në treg do të fillojë të bjerë.
Pulisiç e ka fituar vendin e tij si lider në “San Siro”, por tani është klubi që duhet të tregojë vendosmërinë për ta mbajtur. Sepse përballë milionave të Arabisë Saudite, vetëm projektet bindëse dhe besimi afatgjatë kanë ende forcë për të thënë “jo”.