Superliga ka dështuar, ose më saktë është pezulluar.
Por ajo që ka ndodhur mund të ketë pasoja. Ka folur për këtë edhe numri një i UEFA-s, Ceferin, dhe po diskutojnë për këtë edhe presidentët e Serisë A.
Sipas Corriere della Sera, në fakt, Lega e Serisë A mund të marrë masa kundër të mëdhave që kanë qenë pjesë e projektit të Superligës: Juventus, Inter dhe Milan.
Tre të mëdhatë e futbollit italian konsiderohen tradhtare për sa i takon hyrjes së fondeve të investimeve private, një operacion që do të kishte çuar 1.7 miliardë euro në arkat e klubeve të Serisë A.
Nga sa mësohet, presidentët e klubeve të tjerë janë gati të hedhin në gjyq Andrea Agnelli-n, i cili shihet si fajtori kryesor i dështimit të operacionit. Ndryshon qëndrimi për Marotta dhe Scaroni-n, me këtë të fundit që është akoma në favor të fondeve.