Dortmundi fiton kreun e Grupit F, kualifikohet Lazio

Borussia Dortmund ka fituar Grupin F të Champions League pasi ka mundur 2-1 në transfertë Zenit-in e vendit të fundit.

Gjermanët, që e kishin siguruar kualifikimin në raundin pasardhës, por jo vendin e parë në grup, kanë kaluar në disavantazh në minutën e 16-të pas një goli të Driussi-t.

Reagimi i ekipit të Favre ka ardhur në pjesën e dytë. Piszczek ka barazuar në të 68-ën dhe Witsel ka shënuar golin e fitore në të 78-ën.

Vendi i dytë në grup është zënë nga Lazio, që ka barazuar 2-2 në shtëpi kundër Club Brugge, që e ka mbyllur grupin në vendin e tretë.

Italianët kanë shënuar shumë shpejt me Correa-n në minutën e 12-të, por miqtë janë kundërpërgjigjur tri minuta më vonë me Vormer, edhe falë një gabimi të Reina-s.

Immobile ka kthyer në avantazh bardhekaltrit me një penallti në minutën e 27-të dhe situata është përkeqësuar për belgët në të 39-ën, kur Sobol ka marrë kartonin e dytë të verdhë dhe ka lënë ekipin me 10 lojtarë.

Pavarësisht inferioritetit numerik, Brugge ka arritur të barazojë në të 76-ën me Vanaka-n, por nuk ka arritur të gjejë golin e fitores që do t’i kishte dhuruar kualifikimin ekipit të Clement.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here