Milano po përvëlohet nga pasioni për “Euroderbin” gjysmëfinal të Champions League. Në pritje të 10 dhe 16 majit, këto janë dhe kanë qenë ditët e ethshme për të siguruar biletat e përballjes së dyfishtë ndërqytetase.
7 ditë përpara se Milan-Inter të luajë aktin e parë gjysmëfinal, “San Siro” është shitur plotësisht. Më saktësisht kemi 74.000 bileta të shitura dhe dhjetëra mijëra tifozë të zhgënjyer që janë përplasur me sistemet e biletave online ose janë rreshtuar në “Casa Milan” që nga orët e para të natës, me shitjen që filloi në 12.
Edhe nëse Milani nuk do t’i komunikojë të ardhurat para ditës së ndeshjes, gjysmëfinalja e parë e Ligës së Kampionëve do të jetë sfida e futbollit me arkëtimin më të lartë ndonjëherë në Itali, duke thyer rekordin ekzistues të të ardhurave prej 10 milionë euro.
Ndoshta rekordi i ri do të qëndrojë në fuqi deri në gjysmëfinalen e kthimit, sepse Interi pritet të fitojë më shumë, pasi ka zgjedhur çmime edhe më të larta të biletave. Natyrisht, duke pasur parasysh kërkesën shumë të madhe për ndeshjen e parë, bileta nuk kanë siguruar dot të gjithë të interesuarit.
Tashmë është e lehtë të mendohet se do të jetë e njëjta gjë edhe për ndeshjen e dytë, por e enjtja do të jetë një ditë shumë e nxehtë për të të dyja tifozëritë. Në fakt, nga nesër pasdite në orën 14:30 deri në mesnatë do të hapet një dritare, e cila do t’i lejojë mbajtësit e aboneve sezonalë zikaltër të blejnë nga dy bileta, përveç çdo të konfirmuari tashmë në fazën e parë të shitjes, për miqtë dhe të afërmit. Dritarja e së enjtes do t’iu kushtohet rreth 15.000 mbajtësve të aboneve sezonalë në 4 (ose më shumë) sezonet e fundit radhazi.
Klubi zikaltër nënvizoi në faqen e vet zyrtare se ky është një tjetër demonstrim i komoditetit të abonimit sezonal për tifozët e Interit. Milani, nga ana tjetër, nuk iu ka dhënë të njëjtën mundësi mbajtësve të aboneve sezonalë, të cilët nga nesër në orën 12 do të mund të qëndrojnë virtualisht në radhë (të gjithë janë gati 42.000) për të provuar fatin dhe për të marrë një biletë nga sektori i mysafirëve për gjysmëfinalen e kthimit (kushton 69 euro).