Juventusi i madh po kthehet: Zbulohen dy super goditjet e para në merkato

Pas dy sezonesh pa asnjë trofe dhe pa Champions League, Juventus ka gati një plan për ta rikthyer skuadrën në nivelet e dikurshme, në elitën e futbollit italian e Europian.

Sipas “Gazzetta Dello Sport”, klubi po punon në heshtje për të sjellë në Torino sulmuesin spanjoll Alvaro Morata dhe mesfushorin italian Nicolo Zaniolo.

Morata ka luajtur dy herë me bardhezinjtë në dy periudha të ndryshme dhe është një sulmues që ka lënë gjithnjë kujtime të mira në Torino. Spanjolli, që aktualisht luan me ekipin e Atletico Madrid, mësohet se ka pranuar ofertën dhe se është gati të rikthehet të veshë fanellën bardhezi.

Morata ka ende edhe një vit kontratë me Atletico, që i ka thënë se mund të largohet, për të mos e humbur me koston zero lojtarin pas një viti. Spanjolli do të pranojë një rrogë më të ulët se ajo që mer aktualisht (8 milionë), por me kusht që kontrata e re të jetë 3-vjeçare.

Për sa i përket Zaniolo, lojtari luan me Gallatasaraj në Turqi, por ai mund të rikthehet në Serie A në rast se oferta është e mirë. Dhe kur bëhet fjalë për Juventus gjithçka është e mundur. Bardhezinjtë duan që Zaniolo të jetë zëvendësuesi i Angel di Maria, që do të lërë skuadrën këtë verë.

Zaniolo, një fiksim i vjetër i bardhezinjve, ka një klauzolë prej 30 milionë eurosh për t’u larguar nga turqit, çka do ta afronte edhe më shumë me kombëtaren e trajnerit Roberto Mancini. Për momentin bisedimet sapo kanë nisur, por duket se edhe mesfushori është gati të rikthehet në Serie A pasi fitoi titullin në Turqi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here