Revolucion te Milani.
Sandro Tonali duket shumë pranë firmës për gjashtë vite me tetë milionë euro në sezon me Newcastle në Premier League.
“Qymyrxhinjtë” pritet ta mbyllin marrëveshjen me Milanin në bazën e 80 milionë eurove teksa mesfushori italian do të shndërrohej në transferimin më të shtrenjtë në historinë e anglezëve.
Në këtë formë, drejtuesit kuqezinj po studiojnë “tregun” dhe mënyrën si do t’i investojnë në merkato paratë që do të arkëtohen nga largimi i Tonalit.
Mediat italiane, bëjnë të ditur se Milan synon të transferojë dy mesfushorë me paratë e arkëtuara nga shitja e Tonalit.
Kuqezinjtë janë vënë pas Davide Fratessi. Mesfushori që aktivizohet me Sassuolon pritet të bëjë hapin e madh të karrierës këtë verë dhe kuqezinjtë janë të bindur se mund t’i besojnë cilësive të italianit ashtu siç bënë me Tonalin kur e transferuan nga Brescia në vitin 2020. 30 milionë euro mund të mjaftojnë për 23-vjeçarin, edhe pse Sassuolo kërkon diçka më tepër.
Emri tjetër që Rosonerët synojnë ta transferojnë është talenti turk i cili po shkëlqen te Fenerbahce, Arda Guler. Drejtuesit e Milanit kanë kontaktuar agjentin e turkut dhe janë të gatshëm ta paguajnë klauzolën prej 17.5 milionë eurove.