Inter transferon bomberin e ri.
Pasi dështoi të rikthejë në skuadër sulmuesin belg Romelu Lukaku, Inter ka nisur nga puna për të gjetur një lojtar të ri.
Zikaltërit tentuan transferimin e Folarin Balogun, por kërkesat e larta të Arsenalit kanë bërë që Neroaxurët të heqin dorë nga afrimi i tij.
Lista e sulmuesve kandidatë është e gjatë, por orët e fundit duket se po konkretizohet pista që synon të sjellë në Milano yllin e Salernitanës, Boulaye Dia.
Dia shkëlqeu me Salernitanën sezonin e shkuar duke realizuar 16 gola dhe 6 asistime në 33 ndeshje të luajtura, duke arritur kështu vlerën e 25 milionë eurove në treg.
Sipas mediave italiane, Inter dhe Salernitana kanë gati super shkëmbimin për ta transferuar Dia-n në Milano.
Salernitana synon transferimin e Stefano Sensit, i cili nuk bën pjesë në planet e Inzaghit dhe zikaltërit synojnë të përfitojnë nga ky interesim.
Inter ia ka ofruar Salernitanës kartonin e Sensit dhe 15 milionë euro në këmbim të Dia dhe Neroaxurët janë optimist se marrëveshja do të arrihet së shpejti.