Drejtuesit zikaltër kanë gati dhuratën për Inzaghin pas triumfit në derbi.
Inter triumfoi mbrëmë në Derby della Madonnina ndaj Milanit me rezultat 5-1, duke konfirmuar formën e shkëlqyer që po kalon në këtë fillim sezoni.
Pavarësisht se merkato është mbyllur, drejtuesit zikaltër po punojnë dhe po monitorojnë profilet që mund t’i dhurojnë trajnerit Inzaghi në merkaton e dimrit.
Ideja e fundit e Marotta-s dhe Ausilio-s luan në La Liga, më saktësisht te Atletico Madrid.
Sipas portalit spanjoll fichajes.net, Inter po mendon për transerimin e Jose Maria Gimenez në merkaton e janarit.
Qendërmbrojtësi uruguaian është rikuperuar nga lëndimi dhe së shpejti do të jetë në dispozicion të Simeones, por zërat për largimin e tij nga Wanda Metropolitano sa vijnë e shtohen.
Gimenez ka refuzuar rinovimin e kontratës e cila i skadon në vitin 2025 dhe Madrilenët janë të hapur ta lënë të lirë të largohet që në janar.
Vlera e tij në treg është rreth 40 milionë euro, por drejtuesit e Atleticos janë të hapur ta lënë të lirë për një shifër më të ulët prej rreth 20 milionë eurove.
Te Inter synojnë huazimin e Gimenez në merkaton e janarit me detyrim blerjeje verën e ardhshme.
Neroaxurët e kanë piketuar Gimenez si përforcimin ideal për repartin e mbrojtjes, pasiqë Acerbi verën e ardhshme do të jetë 36-vjeç dhe nuk do të ketë rrolin e titullarit.