Juventus duket se po planifikon një goditje të bujshme në merkato.
Sipas The Sun, duket se bardhezinjtë janë klubi favotir për të siguruar shërbimet e Jadon Sancho, lojtari anglez që ka përfunduar jashtë skuadrës te Manchester United pas një mosmarrëveshje me trajnerin Ten Hag.
Klubi torinez duket se ka ndërmend të përfitojë nga situata e krijuar për t’i dhuruar trajnerit Allegri një përforcim të rëndësishëm për sulmin.
Gjithmonë sipas medias angleze, Juventus duket se është e gatshme të shpenzojë 60 milionë sterlina verën e ardhshme për kartonin e ish-yllit të Dortmund-it.
Kontrata e tij me United skadon në 2026-ën, por ndërrimi i fanellës mund të ndodhë që në janar nëse Djajtë e Kuq do të pranonin një huazim deri në fundin e sezonit dhe do të ishin të gatshëm të paguanin gjysmën e rrogës.
Një skenar jo shumë i lehtë për t’u konkretizuar, por që mund ta ndihmojë Manchester-in të largojë një “problem” nga skuadra.
Skuadra tjetër e interesuar është Borussia Dortmund, klubi që e shiti Sancho-n tek United për rreth 80 milionë, por Jadon duket se nuk ka dëshirë të kthehet te verdhezinjtë dhe do të provojë veten në Itali.