Situata te Milani po shkon keq e më keq dhe tashmë në diskutim ka filluar të vihet edhe vazhdimësia e trajnerit Stefano Pioli në pankinën e kuqezinjve.
Pas përplasjeve publike me lojtarë të ndryshëm që cilësohen si të rëndësishëm brenda grupit kuqezi dhe mungesës së rezultateve, aftësia për të nxjerrë ekipin nga kriza ka filluar të vihet në dyshim.
Sipas portalit të gazetës italiane “Repubblica”, trajneri rrezikon shkarkimin nëse nuk ia del që të kalojë fazën në grupe të Ligës së Kampioneve.
Kuqezinjtë janë të fundit në grup me 2 pikë pas 3 ndeshjesh ku nuk kanë shënuar asnjë gol dhe me kundërshtarë si PSG, Dortmund e Newcastle, do të jetë shumë e vështirë që të kalojnë nëse bëjnë qoftë edhe një hap të gabuar në ndeshjet e mbetura.
Ndaj gazeta bën të qartë se që në javën e ardhshme, kur Milani të përballet me PSG-në, Pioli mund të jetë në orët e tij të fundit si trajner i kuqezinjve.
Sipas raportimeve të fundit Milan e ka identifikuar trajnerin argjentinas, Marcelo Gallardo, si njeriun e duhur për t’ia besuar drejtimin e skuadrës.
Gallardo pati sukses me River Plate duke fituar çdo trofe të mundshëm, duke përfshirë këtu edhe suksesin e dyfisht në Copa Libertadores.
47-vjeçari aktualisht është i lirë dhe së shpejti pritet që ta merr drejtimin e ndonjë skuadre të madhe në Europë.