Agnelli hap thesin, Juventus ka gati goditjen e madhe për merkaton e janarit.
Juve zgjodhi Milinkovic-Savic dhe në janar do të tentojë sulmin ndaj Lazios për ta marrë serbin në Torino.
“Gazzetta dello Sport” raporton, duke shpjeguar se nokauti në “San Siro” kundër Milanit i ka bindur drejtuesit e bardhezinjve se për të ndryshuar një sezon që filloi me shumë vështirësi, është e nevojshme të ngrihet menjëherë niveli i cilësisë.
Futbollisti serb, me shtatë asiste dhe tre gola në nëntë javët e para të Serie A, duket vërtet njeriu i duhur. Si për cilësitë fizike dhe teknike të padiskutueshme, ashtu edhe për situatën kontraktuale. “SMS” në fakt i skadon kontrata në vitin 2024 dhe gjithashtu ia ka marrë premtimin presidentit Lotito për ta lënë të largohet në rast të një oferte të nivelit të parë.
Ofertë që nuk erdhi në verë, por Juventus do të ishte gati ta bënte në janar. Sezoni sapo ka nisur, por bardhezinjtë tashmë janë në kërkim të pikës së kthesës dhe po ëndërrojnë goditjen e madhe për të rinisur, pak si ajo që ndodhi një vit më parë me blerjen e Vlahovicit nga Fiorentina.
Lotito ka synuar gjithmonë shumë lart (të paktën 100 milionë euro) për yllin e mesfushës bardhekaltër, por skadimi i kontratës kaq afër dhe ‘pakti i nderit’ që ekziston mes presidentit të Lazios dhe serbit mund t’i ulë ndjeshëm kërkesat.
“Gazzetta dello Sport” flet për një ofertë të klubit të Juventusit prej 50-60 milionë euro me bonuse, por përpara se ta prezantojë do të duhet të sakrifikohet të paktën një lojtar në atë rol dhe i dyshuari kryesor do të ishte Weston Mc Kennie, i cili ka një treg veçanërisht në Bundesligë.
Në pritje të rikthimit të Pogba, Allegri ëndërron “rreshterin” për pikën e kthesës. Juventusi ka konfirmuar edhe një herë besimin te trajneri që ka aktualisht.