Rosonerët për shopping në Madrid.
Klubet e mëdha të Europës nuk shqetësohen vetëm për rezultatet e fushës, por edhe për merkaton e verës.
Mes skuadrave më aktive është padyshim Milani, me drejtuesit që kanë piketuar një super përforcim nga La Liga.
Sipas Calcio Mercato, Milan është përfshirë në garë për qendërmbrojtësin e Atletico Madrid, Jose Maria Gimenez.
Te Atletico pritet një revolucion në verë dhe Gimenez është njëri nga lojtarët që mund të largohet nga Wanda Metropolitano.
Forca e tij fizike dhe aftësia në mbulimin e kundërshtarit janë njohur prej kohësh për të gjithë.
Simeone e ka aktivizuar së bashku me Godinin dhe të dy përbënin një njësi shumë të fortë, të vështirë për sulmuesit kundërshtarë.
Në Serie A ka disa klube që e admirojnë veçanërisht atë dhe janë përpjekur të bëjnë sondazhe për të në disa raste.
Në të kaluarën ishte Roma e Monchi-t që u përpoq ta sillte në Itali, më pas edhe Juventusi, që pa tek ai pasardhësin Chiellini-t.
Tani është radha e Milanit, i cili mund të vendosë të investojë rreth 30 milionë euro për t’ia hequr atë nga konkurrencës së Premier League.
Çmimi i tij vlerësohet në rreth 50 milionë euro, por kontrata që skadon në 2025-ën dhe vullneti për të mos rinovuar me spanjollët mund të hapin negociata edhe me shifra më të ulëta. Pranë Tomorit do të krijonte një dyshe vërtetë ndërkombëtare.