Mes ëndrrës për një përmbysje të madhe ndaj Interit në Champions League dhe realitetit që është ndeshja e radhës ndaj Spezias, Milani i Stefano Piolit nuk dëshiron të bëjë më gabime.
Një tjetër hap fals i kuqezinjve do t’i vendoste në kushte shumë të vështira në kampionat, ku rreziku për të munguar në edicionin e ardhshëm të Champions League do të kthehej në një faliment të gjithë sezonit.
Për këtë arsye, ndeshja ndaj Spezias kthehet në më të rëndësishmen për Stefano Piolin dhe të besuarit e tij, por mungesat do të jenë të shumta. Me Ismael Bennacer që tashmë e ka mbyllur sezonin, Pioli duhet të bëjë llogaritë edhe pa dy lojtarë të tjerë. Janë dëmtuar gjithashtu edhe Rade Krunic dhe Junior Messias që do të jenë dy mungesa të tjera kundër Spezias.
Ndërkohë që në këtë listë shtohet edhe Rafael Leao i cili pritet të kthehet të dielën me grupin, për t’u bërë gati vetëm për derbin e kthimit në Champions League. Prandaj Pioli, përpara se të kthejë ëndrrën Champions League në realitet të martën, fillimisht duhet të jetojë momentin për të mposhtur Spezian dhe të sigurojë një vend në edicionin e ardhshëm të kompeticionit më të rëndësishëm europian nga kampionati.