Favorit për Scudetto: Ja si do të luaj Milani në sezonin e ri (FOTO)

Milani është padyshim skuadra më aktive në këtë sesion të merkatos.

Kuqezinjtë shënuan disa goditje cilësore dhe revolucionarizuan një pjesë të madhe të skuadrës. Në mesfushë, pas lamtumirës së dhimbshme të Sandro Tonalit, e cila solli një fitim të madh kapital në arkat e klubit, lojtarë të rinj kanë ardhur duke përfshirë Ruben Loftus-Çik, Junus Musah, Marko Pelegrino apo Tizhani Reijnders.

Në sulm, megjithatë, u prezantuan lojtarë me teknikë të shkëlqyer si Kristian Pulisiç, Samuel Çukvueze dhe Noah Okafor, të cilët i japin mundësinë trajnerit të ndryshojë formacionin dhe të kalojë nga 4-2-3-1 në 4-3- 3. Siç theksohet nga “La Gazzetta dello Sport”, kësaj skeme do t’i mungonte prania e një regjisori klasik, pasi në fakt Rade Kruniç ka tendencë për të prekur topin disi më shpesh sesa e kërkon roli.

MË EFIKAS – Përkundër kësaj, momente të shkëlqyera loje u panë te “Renato Dall’Ara” kundër Bolonjës. Formacioni është shumë fleksibël dhe rolin e regjisorit mund ta luajë edhe Tizhani Reijnders, i cili nuk gaboi asnjë pasim, edhe pse pozicioni i tij fillestar nuk është ai përpara mbrojtjes. Lojtarët e evoluar si mesfushori holandez, Pulisiç, apo Loftus-Çik të kombinuar me driblues me cilësi të jashtëzakonshme si Çukvueze, Teo Hernandez dhe Rafael Leao mund të përfaqësojnë recetën e përsosur për të gjetur ekuilibrin më të mirë të mundshëm. Në sezonin e titullit, 2021- 2022, klubi lombard ishte i pamëshirshëm në kundërsulm falë vrapuesve të tij, por tani ky koncept ka ndryshuar në një situatë mbajtjeje topi dhe qarkullimi më vertikal. Më shumë densitet mund të favorizojë ndryshimin e lojës në anën e dobët dhe me qendërsulmuesit e karakterizuar nga një vrapim i lartë loja e Milanit do të bëhej vdekjeprurëse.

TË TJERËT – Mbetet për t’u parë se si do të integrohet në skemat e Milanit edhe Musah apo Romero. Ky i fundit jep shpejtësi në korsi dhe ka prirje për të synuar qendrën për të goditur apo për të dhënë pasimin e fundit, karakteristikë që është edhe në cilësitë kryesore të të ardhurit tjetër amerikan. Musah është një i tretë në mesfushë, por mund të bëjë fare mirë fantazistin pasi di të driblojë dhe të shohë korridore në zonat rivale. Tashmë mbetet në dorë të Piolit si do t’i menaxhojë të gjitha këto burime që klubi i ka vënë në dispozicion me më shumë se 100 milionë euro të shpenzuara në merkato.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here